Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë

Çdo 8 vjet historitë e frikshme përsëriten.

Pas përmbledhjeve “Fytyra tjetër e natës” (2003) dhe “Libri i bardhë” (2011), vjen kjo përmbledhje e re me tregime, që përmes fantastikes, misterit dhe tmerrit, na shpien në përhumbje të reja, të panjohura dhe të frikshme, brenda një realiteti të ndërtuar buzë ankthesh, ku marrin formë turbullimet, impulset dhe çmenduritë që popullojnë botën brenda dhe jashtë secilit prej nesh.

Një masë e panjohur, e aftë për të gllabëruar jetë, një guaskë e mallkuar që ndjell vdekje, qenie të pabesueshme dhe shpirtra të grisur nga mizori të egra, që enden nëpër humnera absurde pa rrugëdalje, por edhe atmosfera të qeta, që papritmas shpërthejnë, duke na vënë para asaj forme të veçantë të tmerrit, që vetëm e pakuptueshmja mund ta ngjallë.

Tregim pas tregimi, ndërsa frika rrjedh para syve në forma të pa imagjinuara, do e gjejmë veten në një dimension marramendës, krejt pezull në një tension të vazhdueshëm midis dëshirës për të gjetur kurajë në errësirë dhe kthyer faqen ??tjetër dhe dëshirës për të vrapuar dhe dalë në dritë.

A thua se në dritë, gjërat shkojnë më mirë!

  1. KËTË HERË MË QUAJNË EMI
  2. UJKU
  3. GUASKA
  4. RIPARUESI
  5. KËRCIMI I PARË
  6. MAMIA
  7. NJË VAJZË DHE NJË DJALË
  8. NA LËR TË SHKOJMË
  9. GJIMNAZISTËT E SËMURË
  10. GRUAJA E 8 MARSIT
  11. MAKTH
  12. VDEKJA ËSHTË ZANATI IM
  13. DIÇKA ATJE JASHTË
  14. DERA
  15. MUA
  16. VAJZA ME PATERICA
  17. DITA E FUNDIT