Të nesërmen (Tregim)

the-day-after6

Të nesërmen, ecnin ngadalë.

Në krye printe Edi. Në trup mbathte vetëm një kanotiere ushtarake, që dukej sikur ishte dhjetë vjeçare, ndërkohë që ishte blerë vetëm javën e kaluar dhe mund të ishte, po ose jo, hera e dytë që e vishte. Nën sqetullën e djathtë dhe tek shpatulla e majtë ishte e grisur. Edhe tutat e sportit i kishte të grisura: mbi të dy gjunjët dhe mbrapa, tek xhepi i djathtë. Sipër atij xhepi dilte doreza e çeliktë e revolverit të futur në brez. Edi ecte kokulur dhe këmbët i tërhiqte zvarrë, duke ngritur rërë e pluhur me majat e grisura të atleteve. Në dorën e majtë kishte një shami, krejtësisht të ngjyrosur me gjak.

Disa hapa më pas, Suela dhe Zani ecnin në krah të njëri–tjetrit. Suela kishte veshur pantallona të shkurtra me një stampë të padeshifrueshme mbi vidhen e majtë dhe një bluzë të ngushtë, që i tregonte një njollë të kuqërremtë të përhapur mbi bark. Kurse Zani, ashtu si Edi, kishte veshur vetëm një kanotiere, por, në vend të tutave të sportit, mbathte një palë xhinse, fundi i të cilave qe i djegur.

I fundit vinte Deni. Deni qe veshur me xhinse bojë qielli, të spërkatura me baltë të tharë tek vithet, ashtu si edhe pjesa e pasme e këmishës së kuqe, njëri skaj i së cilës i dilte përjashta dhe tundej prej erës si një flamur i vogël.

Ishin të lodhur.

Kishin gjithë ditën që ecnin.

Ngadalë.

Njëri mbas tjetrit.

Të rënë dakord.

Edhe një të fundit perëndim dielli.

Edi u sulmua nga një kollë e fortë.

– Sa vjen e përkeqësohet, – i tha Zani Suelës.

Suela tërhoqi hundët. – Edhe ne, – ia ktheu.

– E di. Por ai është më keq se të gjithë ne.

Suela tërhoqi hundët sërish. – Ëhë. Ai dëgjonte tmerrësisht shumë.

Zani psherëtiu.

– Ehë. Dëgjonte tmerrësisht shumë, – përsëriti mekanikisht.

Suela ktheu kokën mbrapa. Që kur kishin dalë buzë detit dhe ishin vënë në radhë indiane, e bënte shpesh atë gjë. Për t’u siguruar nëse Deni qëndronte ende në këmbë. Por edhe për të parë qytetin: tymin që ngrihej nga çdo skaj i tij.

Deni qëndronte ende në këmbë. Nuk kollitej, akoma jo. Por mëngën e këmishës e kishte kthyer në shami për hundët dhe veshët, ndërkohë që njolla e kuqërremtë, tani, i mbulonte të gjithë fytyrën.

– Edhe Deni nuk është më mirë se Edi.

– Si ti, – ia ktheu Zani, duke hedhur vështrimin, në fillim tek veshi i saj, pastaj mbi bark.

Suela nuk foli.

– Të djeg akoma?

– Shumë. Ty?

Zani ngriti dorën dhe e vendosi si kupë mbi veshin e majtë.

– Deri tani, nuk ndiej gjë, – tha. – Por me siguri do fillojë. Uroj të mos më vijë përpara perëndimit.

Suela tundi kokën në shenjë miratimi. Pastaj, me zërin që iu drodh, tha:

– Akoma nuk arrij ta besoj.

– Mjafton të kthesh kokën prapa.

Suelës iu mbushën sytë me lot, por nuk foli.

Përpara tyre, Edi filloi të kollitej sërish. Veshi i majtë i rrodhi dhe ai mëshoi shaminë mbi të.

– Mendon se ka të tjerë si ne? – pyeti Suela midis lotëve.

– Nuk e di, – ia ktheu Zani. – Por nëse po, jo dhe për shumë kohë. E shikon se çfarë po i ndodh Edit? E vetëm në dy orët e fundit.

– Oh, zot i madh! – ia priti Suela. – Po përse? Ëh, përse?

Zani i vendosi dorën mbas qafe. Pastaj i puthi tëmthin. Lëkura e saj përvëlonte. – Ke frikë?

Për një çast, Suela nuk foli. Uli kokën dhe pa këmbët që ndiqnin njëra – tjetrën, pastaj ngriti kokën dhe hodhi sytë nga deti. – Jo, – tha pastaj, pa e kthyer kokën. – Jo dhe aq. Por thjesht do të doja të dija përse.

– Eh, përse! – Zani psherëtiu. – Tek e fundit nuk mund të na shpëtojë.

– Po përse pikërisht tani? Përse pikërisht në këtë mënyrë? E të mendosh se flitej për të shkuar me pushime sa në Hënë e sa në Mars.

Zanit i shpëtoi një buzëqeshje, që zgjati sa një përplasje qepallash. Hodhi pastaj sytë tek shoku i tyre përpara. Psherëtiu.

– Oh, shpirt! – tha. – Herët a vonë do të ndodhte, ti e di. Nuk ndodhi prej gripit, nuk ndodhi prej kompjuterëve, nuk ndodhi as prej celularëve, siç dhe filluan të shkruanin ca shkrimtarë, por ndodhi prej… oh, Krisht, Suela! A mund ta kishe imagjinuar dot? Sa herë ishte thënë se këto gjëra të shkatërronin dëgjimin? E në vend të besonim, shtuam përdorimin. Shiko tani ku jemi.

Suela tërhoqi hundët. – E mban mend se ç’kam bërë derisa bleva modelin e fundit? – tha pastaj. – Sa e lajthitur! Sikur s’më mjaftonin ato që kisha, por doja një të veçantë për çdo gjë. Një për të fjetur, një për në punë, një për të bërë vrap… hej, për të bërë vrap, për Zotin! Me Më–Pë–Tresh në vesh! E ke idenë që, në vend të kalorive dhe dhjamërave të tepërta, digjnim jetën? E pabesueshme! Si mundi të ndodhte vërtet një gjë e tillë?

Zani i dha një shkundje të lehtë supeve. – Të jesh e sigurtë se po të mos kishte ndodhur prej tyre, do të kishte ndodhur prej ndonjë gjëje tjetër. Në një mënyrë apo në tjetrën, herët apo vonë, do të ndodhte.

– Po të kishte ndodhur më mirë vonë se sa herët, – ia ktheu Suela, pastaj fshiu lotët me kurrizin e dorës dhe tha: – Të dua shumë!

Zani nuk foli. Hodhi sytë atje ku deti bashkohej me qiellin. Një grumbull resh të kuqërremta, me siguri të lindura prej qyteteve në Itali, përpinte vijën e horizontit dhe det e qiell ishin kthyer në një masë të vetme të padeshifrueshme. Sot, dielli do të perëndonte më herët se zakonisht.

– Të dua shumë! – përsëriti Suela.

– Edhe unë, – ia ktheu Zani. – Edhe unë. Vetëm se…

– Vetëm se?

– Vetëm se… po sikur ta bëjë Deni dhe jo unë?

– Jo, – ia ktheu shkurt Suela. Dukej e vendosur. – Dua të jesh ti.

Përpara tyre, Edi ndali hapat. U kollit fort dy herë, fshiu pak gjak që i kulloi prej hundëve dhe pështyu në rërë. Pastaj u kthye nga të tjerët, i pa me sytë e ënjtur dhe u mundua të buzëqeshte. Dhe u rrëzua.

Zani u shkëput prej Suelës dhe vrapoi drejt tij.

Suela dhe Deni e imituan.

– Kujdes! – i tha Zani Suelës, ndërsa vinte dorën poshtë qafës së zjarrtë të Edit.

– Rezisto, – foli Deni. – Rezisto edhe pak, or mik.

Currila të hollë gjaku rrodhën prej të dy veshëve të Edit.

Suela futi buzën e sipërme në gojë dhe mëshoi dhëmbët. Zani mbështeti kokën e Edit tek gjuri i vet. Deni mori shaminë e Edit, e shkundi prej rërës dhe filloi t’i fshinte gjakun.

– Më duket se nuk do ia dal dot, – foli Edi me zë të ulët dhe rruaza rozë filluan të shtyheshin në cepat e gojës.

– Edhe pak, – tha Deni, që nxitoi t’i fshinte pështymën me dorë. – Edhe pak.

Edi zgjati dorën dhe qëlloi kërcirin e Suelës. – Shtyhu, – i tha.

Suela bëri dy hapa nga e djathta e saj dhe Edi hodhi sytë nga deti. Përmbi të. – Duhet të paktën edhe një orë, – tha pastaj.

– Por do t’ia dalësh, – ia priti Zani. – Ke për të parë që do t’ia dalësh.

Edi u anua nga e majta e tij dhe u kollit.

– Do t’ia dalësh, – përsëriti Zani me zë të ulët dhe sytë iu mbushën me lot.

Mbasi u qetësua disi, Edi çoi dorën mbas kurrizit. Kur e solli sërish përpara syve të të tjerëve, mbante në të revolverin.

Suela nuk e mbajti dot më të bllokuar zërin. U kthye nga deti dhe u shkëput prej tyre.

Edi ngriti sytë dhe pa Zanin. – Të lutem! – i tha.

– Jo, – ndërhyri Deni. – Përpara perëndimit, jo.

– Nuk kam për t’ia dalë dot. Ju lutem çuna!

Zani hodhi sytë nga Suela: me këmbët e futura në ujë dhe fytyrën mes duarve, ajo qante pa droje. – Kemi premtuar, – iu kthye Edit. – Edhe një perëndim të fundit dielli do ta shikojmë si vdekja.

Edi u duk se kuptoi, sepse tundi kokën lehtë, lëshoi dorën bashkë me revolverin mbi rërë dhe nuk foli më. Pastaj filloi të kollitej sërish.

Deni i hoqi revolverin nga dora, e rrotulloi një herë në duar dhe pastaj ia zgjati Zanit.

Zani e mati me sy për disa çaste të mira. – Mbaje ti, – refuzoi pastaj. – Kur të vijë momenti do e marr unë.

– Mirë.

– Ej, Zani, – tha Edi, duke hapur pak sytë. – Je i sigurt se mund ta bësh?

– Do ta bëj, – iu përgjigj Zani.

Edi mbylli sytë prapë. – E… edhe Suelën?

Zani nuk foli. I përkëdheli flokët. Pa, pastaj, një pikë të madhe gjaku të binte midis atyre flokëve. Ngriti sytë dhe ndeshi me vështrimin e Denit. Çoi dorën tek veshi. – Ej, Deni, mbaje pakëz, – i foli shokut.

Deni plotësoi kërkesën e Zanit, ndërkohë që ai hoqi kanotierën dhe e përdori si shami.

– E të mendosh se ishim lajmëruar prej vitesh e vitesh, – foli Edi, gjithnjë pa hapur sytë.

Zani ktheu kokën nga lindja. Shtëllunga të mëdha tymi qëndronin pezull mbi qytet, porsi duar të mëdha. Një e qeshur ironike i shpëtoi prej buzëve.

– Shiko atje, – ftoi Denin. – A nuk duken si duart e vdekjes?

Deni ktheu kokën nga lindja. Mbas disa sekondash u përgjigj: – Ato janë duart e vdekjes, or mik. Të krijuara prej evolucionit. Tamam si ajo reklama e Vodafonit: gjithçka përreth teje.

– Por ne kemi zgjedhur të merremi prej duarsh të tjera, apo jo? – u dëgjua zëri i Suelës mbas tyre.

Shtrirë në rërë, me kokën midis duarve të Zanit, Edi qeshi. – Prej duarve të antikitetit.

Deni rrotulloi revolverin në duar: – Po, fiks. Prej duarve të antikitetit, – konfirmoi pastaj.

– Por, – vazhdoi Suela, – jo përpara edhe një të fundit perëndim dielli.

Edi hapi sytë. – Ej, Deni. Të kanë mbetur më cigare?

Deni futi dorën në xhepin e pasmë dhe nxori një paketë “Marlboro” të shtypur.

– Por a nuk do ishte më mirë të mos pinim më? – ia priti Suela.

– Po, – tha Zani duke buzëqeshur dhe duke u kollitur. – Thonë se ndot ambientin.

– Vërtet ore? – ia ktheu Deni, duke u munduar të qëndronte serioz.

– Po vërtet, – tha Edi. – Edhe unë e kam dëgjuar. Madje, përveç kësaj, thonë edhe se të shkaktojnë kancer. Në mushkri. Të vdesin.

– Atëherë kjo është e fundit herë që do pi, – ia priti Deni dhe të katërt shpërthyen me të qeshura, ndërkohë që i fundit perëndim i diellit afrohej gjithnjë e më pranë.

 * * *

NË TË GJITHA LIBRARITË

Libri i bardhë

Me tregime të horrorit, misterit, fantastikës dhe jo vetëm.

Nga Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare

images (2)

images

images (1)

kobo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *