Autori

BIO :

Enkelejd Lamaj ka lindur më 20 nëntor 1978 në Lushnjë. Pasionin për të lexuar dhe shkruar e ka gjetur që në fëmijëri. Letërsia fantastike dhe filmat e frikshëm do të jenë përbërësit kryesorë të krijimeve të para. Në vitin 2003 prezantohet për herë të parë me një përmbledhje me tregime horror të titulluar “Fytyra tjetër e natës”, duke u bërë kështu i pari shkrimtar i këtij zhanri në Shqipëri. Rrëfimet e tij sfidojnë lexuesin në luftën midis të mirës dhe të keqes, të ndërlikuarës dhe të thjeshtës, të besueshmes dhe të pabesueshmes.

Krijimet e tij janë përfshirë në botime të ndryshme letrare, si “Tregimet e makthit”, “Mehr Licht”, Haemus Plus”, “Obelisk” dhe, në Itali, “Il mare si lasciava attraversare”.

Është shpallur fitues i Panairit të Parë të Shkrimtarëve të Rinj, organizuar nga organizata “I Choose to Change the World”, në datat 20 – 21 Prill 2015.

Jeton dhe punon në Tiranë, ku krahas ushtrimit të profesionit të juristit, vazhdon edhe të shkruajë.

FOTO AUTORI :

LIBRAT E PUBLIKUAR :

* Gjithçka që ke (Arka e Noes, 2021)

Një shkrimtare.

Një shkrim.

I kuq si gjaku.

Gjithçka që ke…

Një gazetare. Një ambicie. Mes tyre, statistika nuk gënjen: Tirana nuk e ka pasur kurrë më parë një vrasës serial. TANI E KA. E quajnë Flutura e Zezë… Dhe është një vrasës i paskrupullt, ai hyn në shtëpitë e viktimave dhe i masakron, duke i gjymtuar në mënyra mizore. Por… ai nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ai nuk lë rehat as të vdekurit. Firma e tij: një flutur e zezë e fiksuar në gozhdë, mu në qafën e viktimës. Dhe, teksa frika dhe terrori ulen këmbëkryq mbi kryeqytet, një seri zbulimesh, hap pas hapi, do të ngrenë dyshimin se vrasësi mund të jetë KUSHDO. Dhe mund të jetë shumë më pranë nga sa mund ta mendosh. Për ta gjetur e për ta ndalur, dikush duhet të kërkojë në skutat më të errëta të kujtimeve dhe të shkelë në rrugët më të përhumbura të së kaluarës, pavarësisht frikës se ato të shpien drejt një fundi shkatërrues.

* Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë #Përmbledhje me tregime (Dudaj, 2019)

Çdo 8 vjet historitë e frikshme përsëriten.

Pas përmbledhjeve “Fytyra tjetër e natës” (2003) dhe “Libri i bardhë” (2011), vjen kjo përmbledhje e re me tregime, që përmes fantastikes, misterit dhe tmerrit, na shpien në përhumbje të reja, të panjohura dhe të frikshme, brenda një realiteti të ndërtuar buzë ankthesh, ku marrin formë turbullimet, impulset dhe çmenduritë që popullojnë botën brenda dhe jashtë secilit prej nesh.

Një masë e panjohur, e aftë për të gllabëruar jetë, një guaskë e mallkuar që ndjell vdekje, qenie të pabesueshme dhe shpirtra të grisur nga mizori të egra, që enden nëpër humnera absurde pa rrugëdalje, por edhe atmosfera të qeta, që papritmas shpërthejnë, duke na vënë para asaj forme të veçantë të tmerrit, që vetëm e pakuptueshmja mund ta ngjallë.

Tregim pas tregimi, ndërsa frika rrjedh para syve në forma të pa imagjinuara, do e gjejmë veten në një dimension marramendës, krejt pezull në një tension të vazhdueshëm midis dëshirës për të gjetur kurajë në errësirë dhe kthyer faqen tjetër dhe dëshirës për të vrapuar dhe dalë në dritë.

A thua se në dritë, gjërat shkojnë më mirë!

* Ajo e errëta #Roman (Dudaj, 2018)

Çdo vend ka (të paktën) një shtëpi të braktisur dhe çdo shtëpi e braktisur ka historinë e saj. Në Stora – fshat bregdetar pranë Sarandës – historia e shtëpisë së braktisur është e trishtë, e dhimbshme dhe e mbushur me terror. Ajo është djegur dy herë dhe në secilën prej herëve, një fëmijë ka vdekur mes rrënojave.

Por kjo është vetëm njëra anë e historisë – ajo që dinë të gjithë. Ana tjetër është ajo e një bote të harruar e plot hije, që ekziston kudo, por nuk është askund dhe ku çdo gjë që ndodh, ndodh gjithmonë dhe përgjithmonë.

Tre shokë – Lira, Alma dhe Oresti – duke rrëmuar mes viteve të pluhurosura dhe hijeve të harruara, zbulojnë se e shkuara kërkon të përsëritet sërish. Njëkohësisht njerku i Lirës – shkrimtari Vilson Leka – mëson se gjithë suksesi i është shenjuar nga një prezencë e errët, që e ka tërhequr, dalëngadalë, drejt shtëpisë së braktisur.

Ka ardhur vallë koha që një çmim të paguhet?!

Dikush duhet të zbulojë të vertetën, përpara se të jetë tepër vonë.

Sepse diku, mbi një shtrat prej hijesh, të një bote, që aty është, por dhe nuk është, ajo e errëta hap sytë e saj prej zjarri.

* Vendi diku midis #Roman (ADA, 2014)

Tiranë. Mesnatën e krishtlindjes, i kthyer në shtëpi pas anulimit të një udhëtimi me familjen, që do të kishte qenë gjithçka përveçse i këndshëm, Sidriti takohet me Anën magjepse dhe të mistershme. “Në qoftë se i plotëson të gjitha dëshirat, vdes”, i mëson ajo, duke i treguar rrugën dhe hapur derën e një bote të pabesueshme dëshirash. Nën magjinë e tyre Sidriti dhe Ana e gjejnë veten në një aventurë urbane, mes fëmijësh të humbur, aksidentesh të dyshimta e fantazmash të një shoqërie të trembur, kriminele e të korruptuar… në një histori të errët familjare dhe dashurish të penguara, që do të ndryshojnë zemrën e Sidritit përgjithmonë.

* Libri i bardhë #Përmbledhje me tregime (Bota Shqiptare, 2011)

Dikush zbulon një jetë tjetër, ose diçka të ngjashme me të… dikujt, ëndrra refuzon t’i përfundojë… dhe cila është dhurata më e mirë për dikë që nuk dëshiron ta shohësh me sy?… po sikur ajo që shkruan të jetë e tmerrshme, por jo aq sa ajo që nuk shkruan?…  keni rezervuar një takim me princin e natës, një leksion me nxënësen e djallit dhe do pushtoheni nga dëshira të errëta, do udhëtoni në një planet të largët dhe, pa dyshim, kur t’ju zërë nata, vendi ku do ndaloni për ta kaluar, do jetë më i fundit që do donit të kishit zgjedhur. Por asgjë nuk mbaron me kaq. Në qoftë se jeta do të ishte një libër i bardhë, më thuaj, çfarë do dëshiroje të shkruaje në të? Këto, edhe më shumë, në trembëdhjetë tregime të zeza, që rrëmbejnë, turbullojnë dhe lënë pa gjumë. Mos i lexoni!

* Fytyra tjetër e natës #Përmbledhje me tregime (Ombra GVG, 2003)

Cili shkon në një restorant dhe sheh se vera e kuqe është pak si shumë e kuqe; cili në diskotekë i vë syrin vajzës më të bukur; cili për të kaluar një fundjavë zgjedh dhomën e gabuar… mirë se erdhët në bord, zonja dhe zotërinj. Përgatituni për një udhëtim në botën e ‘një dere më tutje’, në botën e errët të natës, të populluar prej shpirtrash të zymtë, pasione të etura dhe etje të pashtershme. Është e vërtetë që fati është i verbër, apo jemi ne që verbohemi prej tij?

KOPERTINAT :

TË TJERA:

 * Tregimi “Makth” : është përfshirë te Revista Obelisk, Nr. 161/2014.
 * Tregimi “Mamia” : është përfshirë te Revista Haemus Plus II / 2013.
* Tregimi “Ujku” : është përfshirë te Revista Letrare “Mehr Licht!” (Nr. 42, Prill 2012).
* Tregimi “Ricordi perdutti” : është përfshirë tek antologjia “Il mare si lasciava attraversare”, e shtëpisë botuese Besa Editrice (Itali).” (Nëntor/Novembre 2011).
* Tregimi “Taxi 5” : është përfshirë te “Tregimet e makthit” -Përmbledhje e autorëve më të mirë (best authors collection) – Numri 4, janar, 2010 (No. 4, January 2010).

KONTAKTE :

Shkarko Media Kit