Dua të kem frikë

The shinning

Dua të kem frikë. Dua të kënaqem duke u frikësuar.

Në pamje të parë, kushdo që dëgjon apo lexon këto fjalë, mund të pyesë se si ka mundësi që të duash të kesh frikë? Si ka mundësi të ndiesh kënaqësi nga diçka e këtillë? Dikush mund edhe të pyesë: nuk ke frikë të kënaqesh duke patur frikë?

Në fakt, frika dhe kënaqësia janë dy ndjenja, që – duke patur parasysh përcaktimin e termit ‘normal’ që Ata-Atje-Lart na kanë dhënë për të mësuar dhe përdorur – tek një njeri normal, vështirë se mund kalërojnë mbi të njëjtin kalë, duke qënë se ato duket sikur e përjashtojnë njëra – tjetrën.  Por ja që diçka e tillë ndodh. Ja që, gjithmonë e më shumë njerëz, ndër titujt e shumtë të librave apo filmave, shkojnë e zgjedhin atë që premton më shumë  adrenalinë. E ç’mund të thuhet për kinematë, ku filmit horror nuk i mungon kurrë audienca, përkundrazi, sa vjen e shtohet? Shikoni se çfarë është duke bërë filmi ‘Twilight’. (Duke lënë mënjanë cilësinë) tani adoleshëntet nuk mendojnë më për Princin e Kaltër, por për Princin e Natës.

Eh, ç’kohëra!

Perfekte, do thoja unë. Po pse, kot thonë që frika është për të gjallët? Natyrisht që jo. Por ka edhe më shumë se kaq. Shumë më shumë se kaq. Është nëpërmjet letërsisë apo kinemasë horror që lexuesi apo shikuesi ka mundësinë të aventurohet atje ku autori, në fillim ka guxuar vetë, pastaj ka menduar të ftojë edhe të tjerët ta ndjekin në territoret më absurdë, më të paimagjinueshëm, por mbi të gjitha, në territoret më shumë të ndaluara. Në fakt në territore të ndaluara të çon pjesa më e mirë e letërsisë apo kinematografisë, vetëm se ajo me bazë horrori ka atë vetinë e saj të veçantë që të çon edhe përtej këtyre territorve, atje ku frika nuk të lejon as të guxosh e as të besosh. Kur e pyetën një shkrimtar horrori në besonte tek ato që shkruante, duke i dhënë si shembull gogolat poshtë krevateve, ai u përgjigj që natyrisht nuk besonte, natyrisht nuk kishte se si të besonte se poshtë krevatit të tij jetonin qënie të tmerrshme që ishin gati të çoheshin natën për t’i kafshuar gishtat e këmbëve, por kjo ama, nuk e ka penguar aspak që të blejë një krevat të madh, me qëllim që, natën, ndërsa të jetë duke fjetur, këmbët të mos i varen jashtë tij.

Një gjë është e sigurtë: i besojmë apo jo, për sa kohë do jemi në gjendje të lexojmë, të shikojmë apo të dëgjojmë, mezi do presim një tjetër mIT nga Stephen King, një tjetër  Legjendë nga Richard Matheson, apo një tjetër Intervistë të Anne Rice dhe, në qoftë se Wes Craven vendos të Ulërijë sërish, apo John Carpenter të pjellë ndonjë Gjë tjetër, librashitës dhe ruajtës radhe të kinemave bëhuni gati e përvishni mëngët se do keni punë.

Për sa më përket mua, unë do jem aty. Sepse dua të kem frikë.

Dua të kënaqem duke patur frikë.

Po ty, a ta mban të vish të kënaqesh me mua?

* * *

(First published on Tirana Calling on 07/06/2009)