Hej ti!

HEJ TI

…po, po, me ty e kam.

A di kush jam unë? Hë e di apo jo? Ç’ke atëherë që më përgojon e më ofendon vend e pa vend? Ç’ke atëherë që guxon të publikosh lart e poshtë nëpër forume e nëpër blogje shkrime të cilat as ti vetë nuk i kupton? Si? Si the? Hej, ti! Unë e shoh që ti nuk e di se kush është duke të të folur, por të jesh i sigurt që unë e di me kë jam duke folur. Dhe jam duke folur me një qenie, të cilës as Darvini nuk do i jepte dot derman… si? Ti qenke fare, më duket. E di ti që me ato që shkruan, mua më ofendon? Po, po: më ofendon dhe jo vetëm mua, ta dish. Po: gjithë shqipfolësit dhe shqipshkruesit i ofendon. Po ti sdin me fol shqip mër, pale me shkruar. Si guxon ti me shkruar kur ti sdin me përdorur grematikën? Po pra, prandaj dhe ofendohem unë. Pse ore, ç’taksirat kam unë që dua të lexoj diçka të hairit dhe ulem para shkrimit tënd dhe lexoj kodra mbas bregut? Dhe e di kush është e bukura? E bukura është se si puna tënde janë të gjithë… përveç meje natyrisht… dhe mos kujto se nuk shkruaj unë. Mos kujto se meqë bej vetëm kritika, i ngjaj pesëdhjetë-për-qindëshit të kritikëve që janë shkrimtarë të dështuar. Jo, ore. Unë i përkas atij për-qindëshit tjetër. Unë jam ndryshe. Dhe pikërisht sepse unë jam ndryshe, pikërisht sepse unë jam më i dituri i të gjithë atyre si puna tënde, unë ofendohem prej teje. Sepse  ti ofendon inteligjencën time me ato që shkruan dhe i quan letërsi. E di ti që “prodhimi pa limit i literaturës është një ofendim publik”? Po, ky është mendimi im që e ka thënë dikur Xhorxh Eliot. Po ti, mirë që ato që prodhon vetë janë vetëm Mbeturina Ushqimore të Trurit tënd, por përpos kësaj, ke paturpësinë më të madhe të shkosh e të publikosh atë që kanë publikuar të tjerët. Aq më tepër kur ti nuk kupton as edhe një fjalë nga ajo që kanë thënë “këta të tjerët”. Si? Nga e di unë? Ore, akoma nuk e ke marrë vesh se kush jam unë? Se çfarë jam unë? E di se çfarë kam bërë unë deri tani? E di apo jo? Ore, mos më ngatërron gjë me ato peshat e lehta të letërsisë ti mua? Si s’ke turp që nuk e di ti kush jam unë? Si? Çfarë të lexosh? Ato që kam botuar unë?! Unë të kem botuar ndonjë gjë?! Unë të botoj?! E përse duhet të botoj diçka që të jem njësh? Unë njësh jam edhe pa botuar. Mos më ngatërron gjë me Ismail Kadarenë ti mua? Po unë Kadarenë e ha për mëngjes, ore dhe atë Man Booker Prize të tij unë e përdor për t’i gjuajtur qeve. Po, po, mirë është shkruar: qeve, jo qenve. Po ik ore mbushu, se s’është e nevojshme të botoj gjë unë për të të vërtetuar supremacinë time në këtë fushë. Ja ti shiko: kërko në google me emrin tim dhe shiko se çfarë do gjesh, pastaj hajde të flasim…..

……

……

… hë mbarove? E pe? E pe se me sa shumë blogje është i lidhur emri im? Eh, kur të kesh kohë, hapi pak. Po, po, janë gjithë komentet e mia nëpër gjithë këto blogje të ndritura. Si? Po pse ku tjetër do ta shikosh madhështinë dhe superioritetin e qenies sime ti, ëh? Shiko se kam edhe komente të tjera, unë, të cilat i bëj me emra të tjerë. Eeeeh, posi posi, ia fut kot tani ti. Çfarë? Po normal që e fsheh, pse, ç’rëndësi ka? Rëndësi kanë perlat, ore, perlat që them: ato dëgjo ti. Si?!?!?!… Si the ore?! Ti qenke vërtet idiot, për Zotin. I dështuar je ti që s’pranon kritikat e mia. Hej ti! A e di sa libra lexoj në vit unë? Po pra, prandaj duhet t’i dëgjosh me vëmendje kritikat e mia. Pse ç’kujtove ti se jam unë? Amator interneti? Budallë! Hajde pra, po deshe, në qytetin tim dhe të të jap diçka nga ajo që jam duke shkruar. Ose pyet Novruzin e Xhemiles, se ai e ka lexuar. Hej, e kam fjalën për kryeveprën e kryeveprave unë, pse ç’kujton ti? Vetëm “Njëri” ma kalon, ta dish dhe kjo vetëm e vetëm se unë e konsideroj atë si babain tim. Pa të, unë as që do ta kisha kuptuar ndonjëherë ekzistencën e qenies time superiore. Po, nejse, ti, hë për hë, shiko ato blogjet që gjete në google. Jo për ndonjë gjë, por nuk je ngritur akoma në atë nivel inteligjence ti që të kuptosh shkrimet dhe komentet e mia, prandaj. Si? Ohohoho… tani më kënaqe për Zotin! Mirë, mirë, po ti shiko një herë ato blogjet. Shiko se me çfarë brumi jam gatuar unë, shiko nivelin e mendimeve të mia dhe mëso… po, po mëso – mbi gjithçka tjetër – mëso se çfarë do të thotë të kesh lexuar dhe të kesh një mendim tëndin të konsoliduar me të të cilin të jetosh vitet e jetës. Sepse, “në fund fare, nuk kanë rëndësi vitet në jetën tënde, por jeta në vitet e tua”. Budalla! Ja pra, ky është mendimi im i konsoliduar që e ka thënë Abraham Linkoln k’tu e qindra vjet më parë. Dhe “nuk ka arritje pa dhembje”, e edhe ky është një tjetër mendim i imi i konsoliduar që e ka thënë Benzhamin Franklin. Do një tjetër mendim timin të konsoliduar? Herb Kohen: “Nëse nuk e di se ku je duke shkuar, nuk mund të humbasësh rrugën kurrë”. Kështu që, mos e çaj kokën fare, po vazhdo të ecësh… dhe siç thotë edhe mendimi im i konsoliduar që e këndon Bojken Lako: “Lufto çdo ditë, lufto me veten, kudo të arrish, të paktën të jesh me objektiv”… E more vesh tani? Dhe për ta mbyllur përfundimisht, memorizo edhe një tjetër mendim timin të konsoliduar që e ka thënë dikur Klint Istvud: “Opinionet janë si puna e trapit: çdo njeri ka të tijin”.

Paqja qoftë me Ty, qenie më inferiore ndaj meje dhe, nëse ka një Zot, pastë mëshirë për mua nëse i mendoj vërtet këto që sapo lexove.

 
*********
 
(First published on Tirana Calling on 13/08/2009)