Koha e votës

stupid voter

Çohu shqipëtar, çohu dhe voto… Ka ardhur koha!

Jo, jo, nuk jam duke recituar rilindësin e njohur dhe as jam duke kënduar këngën e re elektorale të ndonjë partie. Vetëm se, kjo puna e votës, është kthyer në një stres të vërtetë. Një gjë ka mbetur pa u bërë me votë, por edhe për këtë nuk e vë dot dorën në zjarr. Pastaj, ç’them dhe unë! Sot, nuk ke më nevojë të çohesh, sot jemi në kohën që mund të votosh edhe pa u çuar… drejt e nga vendi.

Është çmenduri. Ngrihem në mëngjez e, ndërsa më duhet të bëj ritualin e përditshëm për t’i bërë ballë të gjatës-ditë-të-shkurtër, mendoj të hap pak televizorin. Natyrisht, s’kam aspak ndër mend të mbush kokën me budallallëqe elektorale që në pikë të mëngjezit, kështu që – është si është menuja e ditëve të sotme – e çoj tek një kanal që premton se transmeton muzikë. Nuk kam kohë as të vendos pultin e TV-së mbi tavolinë se një zë, i mbajtur shume mirë nga teknologjia, më fton të votoj për videoklipin më të mirë të vitit, ndërkohë që grafika paraqet një mori gërmash që krijojnë ca fjalë dhe ca karaktere të tjera që formojnë ca numra përbri tyre. As e marr mundimin t’i lexoj, do votoj më 28 unë.

Në punë nisem si zakonisht. Si zakonisht hap pak radion dhe filloj të kërkoj për frekuencën që, atë çast, është duke transmetuar këngën më të mirë. Para se ta gjej, një zë femre më fton të votoj për këngën më të mirë të javës, kurse, pak më tutje, një tjetër më kujton se një institucion më fton të votoj online…veshi më kap vetëm falët ‘voto’ dhe ‘kult’, pastaj Bojken Lako më këshillon ta take-it-easy dhe ashtu bëj vërtet: filloj e luftoj me veten, kudo të arrij, të patën do jem me objektiv….

Në punë filloj e hap ca shkresa, ndërkohë që pres linjën e internetit të vendit ku punoj, që t’i teket të punojë në mënyrë që të shkarkoj dhe lexoj ndonjë e-mail. Kur asaj i teket e bën këtë gjë, i them vetes që më mirë të mos e kishte bërë. I pari e-mail që shikoj është një që, për subjekt, ka vetëm një fjalë: Voto. Dhe më e bukura është se nuk ka të bëje fare me zgjedhjet, se të kishte qënë kështu, hajd se edhe kapërdihej. Por që të të ftojnë me e-mail për të votuar se cili është operatori më i mirë i shpërndarjes së internetit në treg?! Nuk e kuptoj pse nuk shohin statistikat për të parë se cilit i ka shkuar e-maili dhe cilit jo, a nuk do kishte qënë më e thjeshtë për të marrë përgjigje? Uh, po harrova: duhet bërë me votë të lirë.

Koha e pushimit vjen, ashtu si çdo ditë, në të njëjtën orë. Pagabueshmërisht, kolegët e mi të zyrës kanë mirësinë të propozojnë të hedhim në votë se tek cili lokal do hamë drekë sot. Duke shtrënguar grushtet, propozoj të votojmë nëse duhet të votojmë edhe për këtë gjë. Si për dreq, ata më marrin seriozisht dhe një sekondë më pas, duart e tyre janë në ajër për të shprehur ‘PRO’-në e tyre. E mbyll gojën, shikoj në repertorin tim të buzëqeshjes dhe nxjerr prej aty atë, mbi të cilën kam stampuar: ‘kur nuk ka asnjë shpresë’ (ç’ti bësh, kështu ndodh kur i ke kolegët juristë shumë të mirë, që e dinë së një grusht turinjve do të thotë pak burg, një gjobë dhe një dëmshpërblim i majmë).

Pushimi mbaron, ca më vonë mbaron edhe dita e punës dhe rrugës për në shtëpi preferoj të dëgjoj nga më-pë-treshi im: të paktën atij, e di, nuk ia mban të më ftojë për ndonjë votim idiot. Mbasditja është nga ato të tipit lavazza-relax dhe, ashtu siç vjen, ashtu edhe shkon. Në mbrëmje fillon avazi.

Nuk jam ndonjë televizor-parës i flaktë, por, pak vëmendje edhe i kushtoj, përpara se t’i fus krahun ndonjë libri e të dal xhiro me të, ose të ulem para kompjuterit e të bredh në ndonjë territor të ndaluar bashkë me fantazinë time. Në fund të fundit, nuk është shumë e këshillueshme të jesh plotësisht indiferent. Jemi në muajin e zgjedhjeve dhe diçka duhet parë. Shikoj. Debate. Përplasje. Dhe, sikur të mos mjaftojnë këto, ja që në cep të çdo kanali, ku poshtë, ku lart, shfaqet një numër telefoni që të fton të votosh për një nga pikat e programit të partisë së gladiatorit A, apo për një nga prioritetet më të rëndësishme të gladiatorit B. Përfundimisht, mjaftojnë vetëm pak minuta lat e poshtë nëpër frekuencat e larmishme të transmetimit që paraqesin të njëjtën betejë, për të kuptuar që ende duhet pritur për një Maximus Decimus Meridius në gjendje të sfidojë perandorin.

Por, mbi të gjitha, për të kuptuar që na hëngrën shpirtin me mënyrën e përdorimit të kësaj vote.

Kaloj kështu tek ato frekuencat e tjera që vetquhen ‘të lira ndryshe’. Fati, duket sikur më buzëqesh. Në arenën tjetër është duke u folur për letërsi, është duke u folur për librin e huaj që tregon shqip. Një fytyrë e parë thotë që në Shqipëri niveli i përkthyesve lë shumë për të dëshiruar. Ky duhet të ketë lexuar përkthimet që i kanë bërë librave të ________, them me zë të lartë unë. Jo, thotë një tjetër (edhe ky fytyrë e njohur, madje sapo e pashë në një tjetër betejë pak minuta më parë – atje fiste per programe), ka përkthime shumë të mira. Por, ky, nuk besoj se ka lexuar përkthimin që i kanë bërë ____________, apo suksesit më të ri të _______________ ose, në i ka lexuar, vështirë të ketë kuptuar se nuk janë bërë realisht nga origjinali, por nga një gjuhë e tretë, por nesje, është mendimi i tij. Për mua, e rëndësishme është se tani, tek kjo arenë jo-votuese ndodh ajo që quhet përfshirje në betejë.

Por s’kalon shumë dhe ja tek shoh që gabohem. S’kalon shumë dhe një tjetër fytyrë e parë na fton të gjithëve të votojmë për artistët e zgjedhur për çmimet _______ 2009 sipas kategorive.

Ja tek u kthyem prapë tek vota. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Jemi në kohën e votës dhe për të ecur përpara na u dashka të votojmë mbi çdo gjë dhe për çdo gjë që na serviret. Në fundit të fundit, në pamje të parë nuk ka asgjë të keqe këtu. Po, pra, vërtet, ç’të keqe ka të zgjedhësh vetë? Madje, ku ka gjë më të mirë sesa të përfshihesh edhe ti në proçesin e zgjedhjes së më të mirit? Jo, natyrisht, nuk ka gjë më të mirë dhe po, sigurisht që ka shumë të keqe. A mundet dikush të më thotë se për çfarë zgjedhje bëhet fjalë, përsa kohë mua më duhet të zgjedh midis atyre që kanë zgjedhur të tjerët? Këtu, në çdo gjë dhe për çdo gjë ka nga një juri fillestare që na tregon se kush janë më të mirët në mënyrë absolute dhe pastaj, pa pikë turpi, na thuhet të votojmë. Dhe, nëse gabimisht je duke lodhur kokën të dish se kush është juria, të informojnë se ajo e ka emrin Prestigjioze dhe mbiemrin E Nderuar. Pikë. E ç’duhet të dish më shumë? Mbylle gojën dhe voto. Po deshe, të thonë. Vota është e lirë, ti je i lire të zgjedhësh një prej atyre që kam zgjedhur unë, Prestigjiozja e Nderuar.

Të zgjedhësh një prej të zgjedhurve që kanë zgjedhur të tjerët!

Përsa i përket politikës, deri diku edhe është e pranueshme (përjashto sistemin e sivjetshëm se është krejt ndryshe), pasi, në fund të fundit bëhet fjalë për një ekip (partia) që në fund të fundit këta lojtarë ka e me këta luan dhe njeriu, me cilësinë e zgjedhësit, është njësoj si tifozi që i mbetet besnik skuadrës pavarësisht ndryshimeve në lojtarë që sjell merkaotoja (dhe ah, kjo merkatoja!).

Por, kjo formulë e aplikuar në fushat e tjera, nuk është gjë tjetër, veçse një iluzion mashtrues. Mirë që ‘votimi’ është gënjeshtar, sepse ti ose zgjedh më të mirin prej një prej atyreve që kanë zgjedhur ata, ose jo, por sinqerisht, dhe sikur! Si mund të zgjedhësh më të mirin në një fushë të caktuar të artit me votim popullor? Dhe e di si e quajnë popullin? Spektator, kur bëhet fjalë për aktorin, lexues kur bëhet fjalë për shkrimtarin e kështu me rradhë. Por sa nga ata, që do votojnë dhe zgjedhin, i kanë parë aktorët, i kanë lexuar librat dhe i kanë ndjekur artistët për të cilët do votojnë?

Po ç’rëndësi ka, më bërtet dikush. Ti shiko të shikosh përtej kësaj gjëje. Mos e mbaj akoma horizontin të ngushtë, por zgjeroje, zgjeroje: deri dje, votonte vetëm një rreth i vogël njerëzish të zgjedhur nga “xhaxhi”, kurse sot votojnë të gjithë. sepse sot të gjithë janë të lirë të zgjedhin. Kjo është arritja! Këtë duhet të shikosh.

Mbyll sytë.

Dhe shikoj.

Përfundimi nuk ka se si të mos jetë njësoj si ai i ______________, ku fqinji voton për fqinjin. Ose do jetë si _________, me moton: jepi të gjithëve nga një çmim e mbyllu gojën! Ose do jetë si __________ ku: ti voto sa të duash, por, se kush do fitojë, atë e dimë ne. Dhe nëse ndodh që Pagëzuesit e Prestogjiozes së Nderuar nuk bien dakort për këtë të fundit, s’ka problem: krijohet një Prestiogjioze  E Nderuar dhe një votim i ri… e mo e, pse bëni sikur nuk kuptoni? A t’ju bëj një pyetje? Kush është më e bukura e Shqipërisë: Miss Shqipëria apo Miss Albania? Hë pra, ma thoni? Apo doni ta hedhim në votë?

Morali i fabulës është sa vijon: në qoftë se (meqënëse) nuk ka një arbitër që t’i nxjerrë jashtë loje me të kuqe këta lojtarë, e pse jo, përjashtimin nga kategoria e gjithë skuadrës, atëhere, herën tjetër as që duhet marrë mundimi për të shkuar në stadium. Dhe nëse ndodh që duke kaluar nga një frekuencë transmetimi në tjetrën, sytë shkojnë padashur tek frekuenca që është paguar më shumë se të tjerët për të transmetuar këtë lloj ndeshje, do e ndërroj me vrap. Për këtë arësye, bateritë e pultit të televizorit tim janë gjithmonë të mirëkarikuara. Se na çmendën me këto lloj votimesh!…

…ah, dhe një gjë: para se të lësh këtë faqe, mos harro të votosh për këtë artikull. :)

* * *

(I rishikuar 12/2012)

(First published on Tirana Calling on 14/06/2009)