LEXO :
1. LIBRI I BARDHË
Një gjë po bëj të qartë që në fillim: nuk po e shkruaj me entuziazëm këtë histori. Përkundrazi! Po fajin e kam vetë; fajin e ka ky kurioziteti im i qelbur që veç telashe më ka sjellë gjithmonë. Fajin e kanë sytë e mi, që të verbër u bëfshin e më rreze drite mos pafshin! Sinqerisht! Njëqind herë më mirë sikur ajo makinë e mallkuar të më kishte përplasur e të më kishte kaluar përsipër më të katërta rrotat. Vetëm brenda saj të mos kisha parë!
2. TAXI 5
Ndër shumë punë të tjera që qarkullojnë midis llojit tonë, ajo që ushtrojmë ne të Kodrës është ndër më frytdhënëset dhe për këtë duhet të falënderojmë ato qindra bare e lokale që ata të llojit tjetër i quajnë “Pub” e që, me ardhjen e mijëvjeçarit të tretë, mbinë si kërpudhat mbas shiut. E, natyrisht, nuk mund të mos përmend edhe diskotekat dhe të gjithë lokalet e orëve të vona. Po patjetër, sepse njerëzit janë duke iu afruar sa më shumë Evropës dhe pranë saj nuk mund të shkohet pa jetën e natës.
3. MËNGJES
E para gjë që pa, ishte ora: 8.45.
Mëngjes.
U rrotullua në krevat dhe një rreze drite i puthi ballin.
Oh, ç’mëngjes i bukur!
Pastaj dëgjoi parfumin e mëngjesit të hynte përmes derës gjysmë të hapur. Fërkoi sytë. Shtyu mbulesën.
Vetëm atëherë dëgjoi qetësinë.
Po fëmijët ku ishin? Të kishin ngrënë mëngjes e të kishin dalë?
4. “MADE IN INDIA”
Arqile Bozi ndihej i kënaqur. Tridhjetë minuta përpara nisjes, kishte arritur të blinte edhe dhuratat e fundit që i kishin mbetur. Njërën prej tyre e kishte blerë me gjithë kënaqësi, kurse tjetrën, me as minimumin e saj. Gjithsesi, ndihej i kënaqur: kishte ende kohë për një kafe e ndonjë duhan.
5. DORA E DJATHTË
Nuk e kisha menduar ndonjëherë se, një ditë, do shkruaja vërtet. Që të shkruash duhet të lexosh dhe unë nuk mendoja se një ditë do kisha guximin e duhur të prekja një libër me dorë. As që mund ta imagjinoja se, një ditë, unë do mund të shfletoja fletët e një libri, se do mund ta lexoja; se një ditë do i shikoja librat për atë që ishin në të vërtetë: libra. Por kjo ndodhte përpara se të zbuloja dorën time të djathtë.
6. PAKTI
Lipja rrotulloi edhe një herë pesëqind lekëshin në dorë dhe mori frymë thellë. Ktheu kokën mbas, por nuk pa askënd. E megjithatë, që kur kishte marrë rrugën për në bingo, vazhdonte t’i dukej sikur dikush e ndiqte. Sikur dy sy e vështronin. Dhe mendja e tij dyshonte gjithmonë për të njëjtin person.
Për njeriun e veshur me të zeza.
7. ASFALT
U desh të kalonin diçka si pesë e më shumë minuta që njëri prej nesh të mund të tregonte se, pavarësisht nga ajo që kishim përpara syve, ishim Njerëz dhe si rrjedhim, në gjendje të shqiptonim Fjalë. E them këtë, sepse, që kur morëm veten prej goditjes dhe pamë jashtë e deri atë moment, dukej se e kishim harruar.
8. MË E BUKURA VAJZË E SHKOLLËS
Epo, mirë. Tani do të të tregoj gjithçka që ka ndodhur e do të them edhe përse të kam thirrur. Ti vetëm dëgjo e mos më ndërprit…
Gjithçka filloi ditën që mësuese Tefta i prezantoi klasës nxënësin e ri. Unë mungoja, atë ditë, për arsyeje shëndetësore, por pasdite, Fatosi erdhi me një frymë e më tregoi gjithçka që nxënësi i ri kishte bërë qysh prej orës së parë e deri në atë të fundit.
Por më shumë se për këtë, shoku im më i ngushtë, kish rendur që të më tregonte për vetullën e tij. Vetullën e majtë të tij.
Të nesërmen unë u ktheva në shkollë dhe e pashë vetë nxënësin e ri ulur në bankën e dytë nga ana e derës dhe gjithçka që ai bëri deri në fund të mësimit.
E natyrisht, pashë edhe vetullën e tij. Vetullën e majtë të tij.
9. TY
Do të të njoh që në momentin e parë që do të të shikoj në fotografi. Oh po, flokët e tua, ndoshta, nuk do të kenë ngjyrën e verdhë që unë gjithmonë kam imagjinuar, ndoshta do të jenë të shkurtër që të nxjerrin në pah vëthë të çmuar. Ndoshta nuk do të kesh veshur rroba sportive e, ndoshta, tipi yt nuk do të jetë ai që unë gjithmonë kam ëndërruar të njoh. Ndoshta.
10. GRUAJA E FOTOGRAFIT
Çdo qytezë shqiptare (ashtu si çdo e tillë në botë, mendoj) ka historitë e veta. E, në çdo qytezë të vogël shqiptare, sado e vogël që të jetë një histori që ndodh, është e sìgurt që do i hyjë në xhep dikujt, ose disave. Në shumë raste i hyn në xhep gjithkujt e për sa u përket atyre të cilëve nuk u hyn në xhep, duan apo nuk duan, do të dëgjojnë, sepse nuk kanë se çfarë të bëjnë tjetër e do të ndërhyjnë edhe me mendimet e tyre, ashtu kot, sa për të mos dalë nga tufa. Përndryshe i quajnë të marrë.
11. TË NESËRMEN
Të nesërmen, ecnin ngadalë.
Në krye printe Edi. Në trup kishte vetëm një kanotiere ushtarake, e cila dukej sikur ishte dhjetë vjeçare, ndërkohë që ishte blerë vetëm javën e kaluar dhe mund të ishte – po ose jo – hera e dytë që e vishte: nën sqetullën e djathtë dhe tek shpatulla e majtë ishte e grisur. Edhe tutat e sportit ishin të grisura: mbi të dy gjunjët dhe mbrapa, tek xhepi i djathtë. Sipër atij xhepi dilte doreza e çeliktë e revolverit te futur në brez. Ecte kokë ulur, Edi dhe këmbët i tërhiqte zvarrë, duke ngritur rërë e pluhur me majat e grisura të atleteve. Në dorën e majtë kishte një shami, krejtësisht të ngjyrosur me gjak.
12. PROVIMI I FUNDIT
Tani, të gjithë mendojnë se është faji im. Ka nga ata që e thonë: në kafe, kur janë me njëri – tjetrin dhe kur unë nuk jam aty rrotull; ka të tjerë që ma thonë mua vetë: duke ndërruar rrugë kur më shikojnë, a duke u ngjeshur mbas murit kur janë duke u shkëmbyer shkallëve me mua, ose thjesht duke më hedhur një vështrim të zjarrtë, ndonjëherë edhe duke pështyrë në tokë (kjo ndodh vetëm jashtë ambienteve të shkollës natyrisht). E, ka edhe nga ata që nuk e thonë fare, por thjesht mjaftohen duke e menduar, e mos më pyesni se si e di unë këtë. Është instinkt, miq të dashur, instinkt. Por gjithsesi, mua, as që më intereson se çfarë mendojnë të tjerët. Nuk më bën as ngrohtë e as ftohtë se çfarë thonë të tjerët në lidhje me këtë. Sepse ajo që më intereson, mua, është ajo që unë mendoj. Dhe ajo që unë mendoj është se po, vërtet, faji është i imi.
13. HONI I NATËS
SKENA E PARË
Jemi në një rrugë malore. Është natë dhe bie shi. Shumë shi, për të qenë më të saktë. Nga e majta jonë është një humnerë, fundi i së cilës është i pamundur për t’u parë me sy të lirë në një natë të tillë, kurse nga e djathta jonë ngrihen pisha të egra. Edhe ato shquhen me po aq vështirësi sonte.
Nuk ndodhemi rastësisht në këtë vend.
************************************************************
PËR MË SHUMË
#
Gjeje NË LIBRARI
Gjeje tek SHTËPIA E LIBRIT
#
See book in Kindle Store
#
See book in SMASHWORDS EDITION
Find book @ GOODREADS.COM
************************************************************