“Atëhere? Si mendon?”
Sapo ka mbaruar filmi dhe jam gati të ndërroj kanal. Pyetja është e pashmangjshme: atëhere si mendon? Është më i bukur filmi, apo libri? Ndonjëherë më vjen të zgjedh asnjërin, por s’mundem. Pyetja është shumë e qartë, kam dy alternativa dhe jam i detyruar të zgjedh njërën prej tyre.
Nuk hezitoj: libri është më mirë se filmi.
Të paktën ky është mendimi im. Edhe atëhere kur libri nuk më ka pëlqyer kush e di se çfarë, siç ka qënë rasti i Kodit të Da Vinçit të Dan Brown, ose ai i Hart’s War, libër i John Katzenbach dhe film me Bruce Willis dhe Colin Farrell. Por, gjithsesi, një libër ështëgjithmonë mbi një film. Duke lexuar një libër, çdokush krijon filmin e tij dhe me atë film jeton, i kënaqur ose jo, deri në çastin që shikon po atë film me versionin e dikujt tjetër. Kush i ka parë filmat që janë marrë nga punimet e Stephen King? Vërtet Jack Nicholson, Kathy Bates, Johnny Depp, apo Tim Robbins dhe Morgan Freeman kanë çimetuar përjetësisht personazhet kryesorë të The Shining,Misery, Secret Window, apo të Krahët e Lirisë (The Shawshank Redemption) dhe vërtet që ky i fundit është, sipas IMDb, i pari i listës prej 250 Filmave më të votuar, por kurrsesi, aktrimi i tyre nuk do mund të krahasohet me filmin që krijon vetë lexuesi në mendjen e tij, gjatë netëve pagjumë, me ankthin që i shtrëngon në kraharor dhe nuk e lëshon edhe kur në botën e tij kanë trokitur orët e vogla të mëngjesit.
Edhe në rastin kur lexon një libër të gjatë si puna e Kryezotit të Unazave, pavarësisht faktit që për të parë filmat të duhen vetëm disa orë të mira, kurse për të lexuar librin një javë e tërë, përsëri, magjia e faqeve të librit, të lexuara, pse jo në gjysëmerrësirën e dritës së leximit tek koka e krevatit, nuk mund të zëvendësohet kurrë nga ekipi fantastik i Peter Jackson. Pa përmendur këtu pjesët e hequra. Pastaj, në filmin tim si lexues, a nuk ishte më mirë Milla Jovovic sesa Liv Tyler në rolin e Arwen? E pse të mos isha thjesht unë në rolin e Aragornit? Jo për ndonjë gjë, por Lilunë e Elementit të Pestë e kam patur gjithmonë pikë të dobët… derisa u zëvendësua nga Alice.
E ç’mund të thuash për Harry Potter? Filmat duken si përrallavetëm për fëmijë, ndërkohë që librat janë, dukshëm, përralla edhepër të rritur…
Përfundimisht, filmi mund të të ndihmojë të mos konsumosh energjitë e tua për të vënë në punë imagjinatën, por libri, jo. Libri nuk ta fal këtë luks. Shembujt janë të pafund, Atonement (dhe sa e mirë është ajo Keira Knightley!), triologjia e Bourne, Fight Club, Kujtimet e një Geishe, Gjuetari i balonave, Troy, Une jam Legjendë, Planet Of The Apes, apo The Manchurian Candidate, një libër që Richard Condon e ka shkruar qysh në vitin 1959 dhe që, as adoptimi i vitit 1962 dhe as i i 2004-s nuk kanë mundur ta arrijnë, pavarësisht nga prezenca e Denzel Washingon dhe Meryl Streep në adoptimin e fundit… dhe më mirë të ndalem këtu se lista është e pafund, por, sikur edhe Ti të tregoje ca nga eksperienca Jote, ndoshta i kursejmë ca kohë njëri – tjetrit, si thua?
Shikim të mbarë të librit që je duke lexuar!
* * *
(First published on Tirana Calling on 12/06/2009)