NDONJËHERË QËNDROJNË PËRGJITHMONË

Megjithëkëtë, bijë e dashur, edhe ti e ke gabim. Fantazmat e lënë që ç’ke me të vendin ku kanë vdekur. E lënë dhe vijnë e jetojnë brenda teje. Ndonjëherë rrinë pak, aq sa u duhet për të bërë do gjëra lesh e li e pastaj shkojnë sërish andej nga kanë ardhur. Por, ndonjëherë, qëndrojnë, aty me ty, përgjithmonë.

Përmbledhja më e re me tregime të frikshme.

Çdo 8 vjet historitë e frikshme përsëriten.

Pas përmbledhjeve “Fytyra tjetër e natës” (2003) dhe “Libri i bardhë” (2011), vjen kjo përmbledhje e re me tregime, që përmes fantastikes, misterit dhe tmerrit, na shpien në përhumbje të reja, të panjohura dhe të frikshme, brenda një realiteti të ndërtuar buzë ankthesh, ku marrin formë turbullimet, impulset dhe çmenduritë që popullojnë botën brenda dhe jashtë secilit prej nesh.

Një masë e panjohur, e aftë për të gllabëruar jetë, një guaskë e mallkuar që ndjell vdekje, qenie të pamundura dhe shpirtra të grisur nga mizori të egra, që enden nëpër humnera absurde pa rrugëdalje, por edhe atmosfera të qeta, që papritmas shpërthejnë, duke na vënë para asaj forme të veçantë të tmerrit, që vetëm e pakuptueshmja mund ta ngjallë.

Tregim pas tregimi, ndërsa frika rrjedh para syve tanë në forma të pa imagjinuara, do e gjejmë veten në një dimension marramendës, krejt pezull në një tension të vazhdueshëm midis dëshirës për të gjetur kurajë në errësirë dhe kthyer faqen tjetër dhe dëshirës për të vrapuar dhe dalë në dritë.

A thua se në dritë, gjërat shkojnë më mirë!