Vdekja është zanati im

vdekja eshte zanati im

Nuk kam qenë gjithmonë një vrasës. Në fillim kam qenë një shkrimtar. Kam botuar katër libra. Me pak njohje këtu, me pak atje, dola në një televizion, pastaj në një tjetër; më dërguan ca pyetje për një intervistë diku, pastaj ca të tjera diku tjetër. Pyetjes më të bukur: “Përse shkruan?” unë i përgjigjesha: “Shkruaj që të ndihem i gjallë. Shkruaj që të jetoj. Shkruaj që të konfirmoj një realitet, që e di se ekziston, por nuk e kam përjetuar ende.”

Askush nuk bënte komente. U dukesha intelektual.

Por, përveç se shkrimtar, isha edhe ekonomist. Kam mbaruar ekonomikun. Jo, s’kam bërë master, thjesht ekonomikun: katër vjeçarin. Kur më pyesnin “Përse ekonomikun?”, përgjigjesha: “Sepse më pëlqente”.

Askush nuk bënte komente. U dukesha i zgjuar.

Kurse tani që jam një vrasës, gjërat janë ndryshe. Kur më pyesin “Përse vras?” dhe unë përgjigjem “Sepse më pëlqen.” dhe “Sepse dua të konfirmoj realitete, që e di se ekzistojnë, por nuk i kam përjetuar ende”, nuk më besojnë. Pyesin psikologët, shkruajnë artikuj dhe i botojnë nëpër gazeta; mbledhin opinionistët dhe bëjnë emisione. Rrëmojnë në familjen time. Ringjallin paraardhësit e mi. Duan të dinë se për kë kam votuar. E quajnë Krijimi i Profilit.

Mos u lodhni kot. Mes paraardhësve të mi nuk ka vrasës. Në familjen time nuk ka skizofrenë. Askush nuk ka abuzuar me mua kur kam qenë i vogël dhe kurrë në jetën time nuk kam vrarë kafshë të vogla dhe as kam djegur insekte me shkop në bythë. Përkundrazi. Vdekja është thjesht zanati im. Dhe jam shumë i sinqertë kur them se më pëlqen të vras. Jam shumë i vërtetë kur them se dua të konfirmoj realitete, që e di se ekzistojnë, por nuk i kam përjetuar ende.

Në çdo vrasje.

A dëshiron të heqësh qafë dikë? Unë ta vras falas. Ta vras thjesht sepse më pëlqen. Sepse dua të konfirmoj një realitet, që e di se ekziston, por nuk e kam përjetuar ende.

Quajeni si të doni.Unë e quaj qejf.

Më kontaktoni.

*

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *