Category Archives: Non fiction

Xhaxhi me fytyrë gjithmonë të qeshur

Faslli Haliti

Nisje.

Kjo nuk është një përrallë, e megjithëkëtë, unë do e filloj me “na ishte një herë një djalë…” Nuk e kam fare idenë se çfarë mund të mendoni, por mund të them që po, vërtet, një herë na ishte një djalë. Ishte shumë i vogël, ky djalë. Ndodhitë e tij, aso kohe, ende nuk shkruheshin me detaje të hollësishme në atë fletoren e pafundmë të kujtimeve dhe ato pak fotografi që shoqëronin ato shkrime ishin akoma bardhe e zi, e megjithatë, edhe tani, pas kaq shumë kohe, përsëri ato fotografi janë më se të mjaftueshme për të krijuar filma me metrazh të shkurtër. Herë pas here, djali-tashmë-jo-i-vogël, lë ecjen, merr çelësin e dhomës së projektimit të filmave dhe merr e shikon ndonjë prej atyre filmave me metrazh të shkurtër. Ja:

Nga një film me metrazh të shkurtër:

Ditë e bukur. E diel. Mëngjes. Banorët e pallatit bëhen gati për të dalë dhe pastruar lagjen. Djali i vogël del nga apartamenti i katit të katërt. Në njërën dorë ka një copë buke të lyer me pak gjalpë dhe në tjetrën një gjysmë cope shalqiri. Zbret në katin e tretë. Ngadalë. Pastaj, po ngadalë i afrohet katit të dytë. Këtu i ndal hapat. Pret. Buka me gjalpë dhe shalqi konsumohet dalëngadalë. Sapo e ka përfunduar kur dera e apartamentit pranë shkallëve të katit të dytë hapet. Atëherë djali fillon të zbresë edhe shkallët që i kanë mbetur për të zbritur në katin e dytë. Kur zbret atje, një xhaxhi e pret. Si gjithmonë, fytyra e xhaxhit është e qeshur. Si gjithmonë, fytyra e djalit të vogël buzëqesh vesh më vesh. Ende pa zbritur të gjitha shkallët e katit, xhaxhi fillon të këndojë me një zë fëmije: o kam tli olë çë po ples të dala… Djali i vogël qesh. Me buzët e përlyer me shalqi, bën sikur ka turp. Llastohet. I pëlqen të llastohet me xhaxhin. Xhaxhi e do fort. Hajde, i thotë xhaxhi, do e këndosh atë këngën që më pëlqen aq shumë? Djali i vogël fshin buzët me shalqi dhe fillon të këndojë (o kam tli olë çë po ples të dala…). Nuk e di se ku e ka mësuar atë varg kënge, në fakt as që e di nëse ai varg është pjesë e ndonjë kënge. Ajo që di, djali i vogël, është që ai është vargu i tij… jo, në fakt, ai është vargu i tyre; ajo që di djali i vogël është që edhe ai e do fort xhaxhin me fytyrë gjithmonë të qeshur. Sepse, ai është edhe ai xhaxhi që e ka shtëpinë plot me ato gjërat që e mahnitin aq shumë kur ai shkon tek shtëpia e tij…

Ecje.

Në segmentin e kohës, vitet i lënë radhën njëri – tjetrit. Djali i vogël ecën. Vetë. Shumë më vetë se sa Beni. Tani shkallët kalohen gjithnjë e më kollaj. Ai bëhet një djalë-jo-më-aq-i-vogël, kurse xhaxhi me fytyrën gjithmonë të qeshur bëhet një xhaxhi-më-i-madh me fytyrën gjithmonë të qeshur. Por, gjithmonë një xhaxhi. O kam tli olë çë po ples të dala… është refreni me të cilin përshëndeten. Edhe atëherë kur distancat bëjnë të tyren. Dhe atëherë, djali-jo-më-aq-i-vogël shikon që xhaxha të tjerë fillojnë të flasin. Ja, një xhaxhi me emrin Isamil Kadare thotë: “Ai mundohet t’i përshkruajë ato (ngjarjet) në mënyrë të freskët, origjinale, pa shabllone poetike, të cilat krijojnë gjithmonë një perde tymi rreth poezisë. Natyrisht kjo është një gjë shumë e vështirë…” Një tjetër xhaxhi, me emër Dritëro Agolli thotë: “Poezia e Tij nuk ka firo. Ka gjëra që jetojnë gjatë. Poeti është sa i afërt dhe i largët, sa i thjeshtë dhe i vështirë…” Kurse xhaxhi Vath Korreshi (i paharruar emri i tij!) thotë se: “Poezia e Tij ka edhe një cilësi tjetër: ajo është shumë njerëzore. Ai filozofon mbi të thjeshtën duke arritur në përgjithësime emocionale dhe i afrohet kështu ligjërimit etiko-filozofik”. Djali-jo-më-aq-i-vogël ndal për çast ecjen dhe merr çelësin e dhomës së filmave me metrazh të shkurtër.

Nga një tjetër film me metrazh të shkurtër:

…kur ai shkon tek shtëpia e tij, në korridor sheh një mobilje të madhe. Është e bardhë, ngjyra e mobiljes,(por mund edhe t’i duket si e bardhë tani, për shkak të ngjyrës bardh e zi të fotografisë). Gjithsesi, jo: mobilja nuk është si ajo që ka në shtëpinë e gjyshes së tij, në të cilën varen rroba. Në të nuk varen rroba. Në të qëndrojnë gjëra. Janë libra. Këtë ia thotë xhaxhi. Djali i vogël e ka gojën të hapur prej habisë (dhe shyqyr që tani nuk është duke ngrënë bukë me gjalpë dhe shalqi). Nuk e di se sa kohë qëndron kështu. Por di që lë korridorin dhe hyn në një prej dhomave. Edhe aty është një mobilje e madhe. Ngjyra e mobiljes është një element i parëndësishëm. Ngjyra e gjërave që janë ulur në hapësirat e pafundme të saj janë nga më të larmishmet. Djali i vogël mbyll gojën e hapur prej habisë. Nuk është e nevojshme që xhaxhi t’ia thotë: ai e di që edhe ato janë libra. Habia tani është kthyer në mahnitje. Në heshtje, djali i vogël i premton vetes: një ditë, edhe ne do kemi një të tillë. Vetja e tij mban shënim.

Vrapim.

Pas viteve ‘90 xhaxhi-pak-më-i-madh me fytyrën gjithmonë të qeshur përjeton një shpërthim të vërtetë krijues: nxjerr në dritë mbi njëzet vëllime, nga të cilët katërmbëdhjetë vëllime me poezi dhe dy me poezi për fëmijë; dhjetë vëllime me përkthime dhe dy vëllime si bashkautor. Dhe, ndërkohë, xhaxha të tjerë vazhdojnë të flasin. Xhaxhi Dritëro Agolli e merr sërish fjalën për të thënë se: “Poezia e tij nuk është një gur që duket dhe ti e vështron dhe kënaqesh ose trishtohesh prej tij se diçka të kujton; poezia e Tij është një gur që del papritur nga dheu dhe ti habitesh: Ç’është ky gur?!” Kurse xhaxhi Moikom Zeqo thotë: “Ai ka një poezi që afron drejt konkretes, me thekse të thella filozofike, por ajo që është më e rëndësishme duket tek optika poetike, e cila është nga më origjinalet në letrat shqipe. Kështu mund të themi se ky poet është i papërsëritshëm. Është poet i një sinqeriteti të madh dhe i një teknike të veçantë. Është një nga njerëzit më të mrekullueshëm që kam njohur në jetën time dhe, padyshim, që i bën nder jo vetëm Lushnjës, por gjithë Shqipërisë”.

Nderin Lushnjës dhe gjithë Shqipërisë, xhaxhi me fytyrë gjithmonë të qeshur ia ka bërë sa e sa vite më parë. Në atë kohë, djali-jo-më-aq-i-vogël nuk ishte as djalë i vogël: nuk ishte akoma një djalë. Në atë kohë, shtëpia e tij e prodhimit të filmave me metrazh të shkurtër akoma nuk ishte ngritur në këmbë. Por, kur kjo ndodhi, ai mund të projektonte sa e sa filma të tjerë. Sa për të cituar

Disa filma me metrazh të shkurtër – prodhime të huaja:

i.

Titulli: “Dielli dhe rrëkerat”.

Regjia: Xhaxhi me fytyrë gjithmonë të qeshur.

Koha: 16 Dhjetor 1972.

Vendi: Gazeta “Zëri i Rinisë”

Trailer: Kundër padrejtësive të shoqërisë shqiptare.

ii.

Titulli: “Kritikë” a.k.a. “Kritika e 10-të gjimnazistëve të Lushnjës”.

Regjia: Një grup gjimnazistësh.

Koha: 25 janar 1973.

Vendi: Gazeta “Shkëndija”, organ i KP të rrethit.

Trailer: “Dielli dhe rrëkerat” ishte fryt i “një çoroditje politike e ideologjike dhe na jep një pasqyrë në themel të shtrembër të realitetit tonë, të natyrës së pushtetit popullor dhe të marrëdhënieve të partisë me popullin…”.

iii.

Titulli: Riedukim.

Regjia: Diktatura.

Kohëzgjatja: 1973-1983.

Roli kryesor: punë e detyruar (katër vjet në kooperativë bujqësore dhe gjashtë vjet në Komunale)

Roli dytësor: Heqje e të drejtës së botimit.

iv.

Titulli: Reagime.

Regjisor Nr.x: Fatbardh Rustemi: Shqipëri, letër Enver Hoxhës se dënimi i poetit nga Komiteti i Partisë, Lushnjë, posaçërisht nga Sekretari i Parë, Rrapi Gjermeni, jo vetëm ishte krejtësisht i padrejtë, por dhe kriminal.

Regjisor Nr.y: Ujk Mali: Paris, Revista “Koha e jonë”: “Rruga e një poeti dhe rruga e kritikës letrare në Shqipërinë e sotme.” “Dielli dhe rrrëkerat” botohet e plotë.

Regjisor Nr.?: Ernest Koliqi : Itali, Revista “Shejzat”: Zëri i këtij poeti është mbytur nga partia.”

Mbërritje.

Për asnjë çast vitet nuk lodhen së kaluari. Djali-jo-më-aq-i-vogël vrapon bashkë me ta. Bëhet i madh. Bën mobiljen e tij. Blen librat me kopertina shumëngjyrëshe. Me to, mbush mobiljen e tij. Të thashë? i thotë vetes një ditë. Të thashë që edhe ne do kishim mobiljen tonë një ditë? Po, ia kishte thënë. Ajo që nuk i kishte thënë atë ditë vetes së vet, ishte se, në atë mobilje, një ditë, do të vendoste edhe librat e xhaxhit me fytyrë gjithmonë të qeshur. Ajo që nuk i kishte thënë atë ditë vetes së vet, ishte se, herë pas here, do të ulej e do të lexonte:

Nga librat e xhaxhit me fytyrë gjithmonë të qeshur:

Mëkati i pranverës

Pranverë sykaltër,

Pranverë me faqe të blerta

Që zgjon nga gjumi letargjik

Barin

Sythet

Gjethet

Lulet

Blerimin.

Pranverë, ti s’harron asnjë vit

Te zgjosh nga gjumi letargjik

Edhe nepërkat, gjarpërinjtë…

Mosmirënjohje

Gjithë

Peshat e rënda,

Peshat vigane,

Peshat sa një mal Tomori

Sa një mal Korabi,

Me levën time i ke ngritur,

Me levën time vazhdoni t’i ngrini.

Edhe nesër

Me levën time

Të gjitha llojet e peshave

Do të vazhdosh t’i çoni përpjetë.

Po si s’më thate një herë të vetme,

Të faleminderit!

Arkimed…!

Përmbytja

Zoti

Përgatiti

Përmbytjen apokaliptike,

Noe ndërtoi arkën

Strehoi në arkë çiftet “elite”.

Bota

Ishte prishur,

Duhej pastruar,

Duhej shfarosur fara e korruptuar.

U mbytën njerëzit,

Kafshët.

U përmbyt bota dyzet dite.

Por lulëzuan peshkaqenët…

Festuan

Gjarpërinjtë.

Dhe bota mbeti siç ish…

Ligji

Ligji

Është si qeni.

S’e ha të zotin.

Qentë po hanë popullin.

Në fëmijëri

Kur shihja laureshën në kthetrat e skifterit,

e lemerishme,

tmerr.

Në end të këngës së saj pranverore

Dëgjoja të qarat e saj tragjikë në pranverë.

Dëshira ime ishte:

të thyeja krahë skifterësh egërsisht.

Në fëmijëri,

pa e ditur këshillën e gjysh Hygoit:

“Kush shëron krahun e skifterit

përgjigjet për kthetrat e tij…”

Ç’lemeri,

Ç’tmerr,

Të dëgjoje të qarat tragjike të zogjve,

dhe mos të t’i thyeja krahët ty, skifter!

Rinisje.

Kjo pra është ajo që nuk është një përrallë edhe pse është po aq e bukur. Edhe ju e njihni xhaxhin me fytyrë gjithmonë të qeshur, vetëm se ju e njihni si Faslli Haliti, a ndoshta si zoti Faslli, a thjesht Faslli. Pak rëndësi ka, për mua ai do mbetet thjesht xhaxhi me fytyrë gjithmonë të qeshur.

© Enkelejd Lamaj

Gusht, 2009

* * *

(First published on Tirana Calling on 10/08/2009)

Kryqëzatorë Modernë

14

1.

Kur u ula për të shkruar këtë që Je duke lexuar tani, kisha ndër mend komplet tjetër gjë. Kisha ndër mend të shkruaja rreth diçkaje që të kishte të bënte me artin e të të shkruarit një rrëfenjë (quaje edhe histori, quaje edhe ndodhi, quaje çfarë të duash) në formën e një tregimi, një art ky, që, në Shqipërinë tonë të dashur, duket sikur na ka lënë shëndenë. Dhe, në fakt, vetëm duket sikur, sepse në të vërtëtë… oh, në të vërtetë!

Continue reading Kryqëzatorë Modernë