Vetëm në Google play
për Android
Category Archives: Tregim
Libri i bardhë # Fragmente
Çast!
“Çast” m. sh.
1. Një periudhë kohe shumë e shkurtër, grimë, imtë, minutë.
2. Kohë e shkurtër, në të cilën ndodh ose kryhet diçka; rrethanë e përkohshme, që ka ndonjë veçori; rast, koha e përshtatshme ose e papërshtatshme për diçka.
Dëgjon zilen që bie dhe ndërsa pret t’i dëgjojë zërin mundohet të përsërisë edhe një herë të fundit atë që ka menduar të thotë ndërkohë që gjunjët janë gati ta tradhtojnë dhe zemra gati t’i dalë prej kraharorit sepse ka kaluar kohë tashmë që nuk i ka dëgjuar zërin në telefon dhe në vend që të përsërisë fjalët që ka menduar e zë frika se mos nuk do i njohë zërin dhe e zë frika se mos gjuha do i ngjitet pas qiellzës dhe nuk do mund t’i thotë dot asnjë prej atyre fjalëve dhe e zë frika se ngaqë nuk do i njohë numrin nuk do i përgjigjet fare dhe Po? pyet veten me zë të lartë dhe të qartë por nuk ka folur fare dhe zëri që e pyet i flet dhe jo nuk i flet brenda kokës dhe në çast e kupton që zilja e celularit nuk është duke rënë më sepse e ka hapur dhe thirrjen e ka pranuar kështu që fillon të thotë gjithçka që ka menduar të thotë duke menduar se patjetër që është duke e thënë sepse buzët po i hapen dhe po i mbyllen dhe kur buzët hapen e mbyllen lëshojnë tinguj në formë fjalësh dhe ja tani që është duke lëpirë buzën e tharë duhet të ketë mbaruar së foluri dhe Po? dëgjon të pyesë veten përsëri dhe dëgjon t’i thotë vetes disa fjalë që s’kupton ndërkohë që është duke gëlltitur lëmshin e formuar në grykë dhe e kupton që as kësaj here nuk i ka thënë gjë vetes sepse nuk mund të flasësh me veten ndërsa je duke kërkuar taban për këmbët dhe je duke kërkuar ajër për mushkëritë ndaj dhe me dorën që i kullon djersët si çezmë mundohet të mbajë celularin sa më pranë veshit dhe gojës dhe provon të hapë dhe mbyllë sërish buzët në disa fjalë që i kupton dhe nuk i kupton dhe kur mbaron pret të dëgjojë diçka edhe nga ana tjetër dhe në njëjtin çast që nga ana tjetër dëgjon vërtet diçka që e kupton dhe nuk e kupton ndjen që gjunjët nuk i ndjen më dhe dëgjon që rrahjet e zemrës nuk i dëgjon më dhe shikon që çdo gjë përreth nuk shihet më dhe engjëlli që gjithmonë ka ruajtur vetëm një zgjatje dore larg e pushton me krahët e butë të mungesës së ngurtë dhe ndërsa lotët bëjnë ritin e tyre të zakonshëm që shpirti të mos plasaritet mbyll komunikimin dhe bie për të vdekur edhe një herë tjetër… Ngre celularin para syve dhe pavarësisht se numrin nuk e njeh vendos të shtypë butonin që pranon thirrjen hyrëse me një Po?! të dyshimtë me anë të së cilës mendon të thyejë heshtjen shurdhuese që merr për një çast si përgjigje dhe ndërsa ndjen hapin t’i vdesë në ajër je një engjëll? a ke një engjëll? a pe një engjëll? dëgjon dhe është si të ketë prekur me dorë një fije të zhveshur korrenti dhe është si të qëllohet nga një rrymë e tensionit të lartë e cila depërton në çdo milimetër të asaj qenies komplekse që është dhe është e çuditshme që i mbijeton goditjes siç dhe është një mrekulli që ndjen veten të marrë frymë edhe pasi zemra kapërcen një të rrahur dhe kur në çastin e parë nuk kupton asgjë dhe kur njëkohësisht kupton gjithçka bëhet gati të ulë dorën e të verifikojë edhe një herë të dytë numrin por ende pa mbaruar mirë ai çast e kupton që nuk është aspak e nevojshme sepse ende pa filluar çasti tjetër koha humbet ndër kohë dhe gjithçka përreth çdo gjëje që i bën botën tretet si një shëmbëlltyrë dhe në asgjënë e boshatisur që e mbush përreth e gjen veten të kthyer në një flutur me ajrin e para stuhisë që i shtron lagështirën mbi flatrat e brishta ndërkohë që dëgjon nëse është një engjëll? a ka një engjëll a sheh një engjëll? dhe nuk arrin ta kuptojë mirë por kupton shumë mirë që goja i murmurin disa tinguj në formë fjalësh të pakuptimta dhe shumë kohë përpara se nga ana tjetër të shkarkohet sërish rrymë e tensionit të lartë flutura në të cilën është kthyer psherëtin dhe klith ndërsa tenton të shkundë prej krahëve ajrin e rënduar prej stuhisë dhe të gjejë një strehë ku të mund të futet e të mbrohet por nuk ia del dot sepse nuk ka kohë dhe stuhia e shurdhon me rrebeshin e fortë të tingullit të zërit dhe e verbon me imazhin që i ndriçon para syve dhe i merr frymën me vrullin e furishëm të aromës dehëse ndërkohë që nga ana tjetër pak përpara se të dëgjojë sinjalin e linjës së lirë i duket sikur dëgjon diçka mes një psherëtime dhe një ngashërimi dhe e kupton që fluturës është duke i ardhur çasti i fundit i jetës kështu që mbyll sytë e mbledh flatrat e njoma rreth trupthit të brishtë dhe resht përfundimisht së kërkuari strehën plot druajtje se porsa ka humbur përgjithmonë të vetmen strehë të mbetur.
Tregimi “Ujku” ne “Mehr Licht!” Nr. 42/2012
Në të gjitha libraritë:
Revista letrare “Mehr Licht!” Nr. 42 (Prill 2012)
Tregimi “Ujku” nga Enkelejd Lamaj
Tani do të tregoj. Do t’ia nis nga fillimi, natyrisht, ashtu si çdo gjë nis nga fillimi. Do t’ia nis pikërisht nga momenti se si fillon. Prandaj, doktor, rrini i qetë, llogarisni kohën tuaj se unë do ta marr me nge, megjithëse nuk mendoj se do të më duhet shumë kohë, aq më tepër që mund të ndodhë nga momenti në moment. Dhe ah, nuk është se jam ndonjë rrëfimtar i kulluar, domethënë, thjesht vazhdoj juridikun dhe jo letërsinë…
Si?
Po, natyrisht, edhe ne jemi të gojës, nuk të falim për llafallogji, por ajo që dua të them është se unë do të rrëfej si të mundem, prandaj uli sytë i qetë mbi fletoren tënde dhe fillo të mbash shënime me atë shkrimin e zakonshëm të doktorit, të identifikueshëm vetëm prej farmacistëve. Unë nuk kam ndër mend të të kushtoj shumë vëmendje: është më mirë që unë të përqendrohem në rrëfimin tim. Prandaj edhe jam këtu.
Po, po. Patjetër.
Pra: thashë se do t’ia nisja nga fillimi, se si fillon dhe gjithçka fillon me një…
Vazhdon tek “Mehr Licht”.